Secondary Adv

Programi take-away pa mbetje, bar-restorantet drejt enëve të ripërdorshme

Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon një paketë masash që synojnë uljen e mbetjeve në disa sektorë kyç të ekonomisë, nga ushqimi te ndërtimi, me afate të ndryshme zbatimi.

Mes tyre, sektori i hotelerisë, restoranteve dhe kateringut (HoReCa) shihet si një nga fushat me potencial të lartë për të reduktuar ndjeshëm mbetjet që gjenerohen çdo ditë.

 

Fokusi vihet te ushqimet dhe pijet “take-away” (me vete), ku përmes dy masave të veçanta parashikohet futja e enëve të ripërdorshme si alternativë ndaj ambalazheve njëpërdorimshe.

 

Masa e parë, ajo me numër 38, e titulluar “Vendosja e detyrimit për rimbushje për sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, vendos rregulla të detyrueshme për operatorët e HoReCa-s. Sipas saj, shitësit me pakicë që ofrojnë pije të nxehta apo të ftohta dhe/ose ushqime të gatshme për t’u marrë me vete, do të duhet të krijojnë sisteme që u lejojnë klientëve të sjellin enët e tyre për rimbushje.

 

Në këto raste, produktet duhet të shiten me të njëjtin çmim dhe në kushte po aq të favorshme sa ato të ofruara në ambalazhe njëpërdorimshe. Po ashtu, operatorët do të jenë të detyruar të informojnë qartë konsumatorët në pikat e shitjes, përmes njoftimeve të dukshme dhe lehtësisht të lexueshme, mbi këtë mundësi.

 

Ndërkohë, masa e dytë, ajo nr. 39, e parashikon këtë praktikë si opsionale. E titulluar “Vendosja e opsionit për ofrimin e ripërdorimit në sektorin e ushqimit që ambalazhohet me vete (take-away)”, ajo u kërkon operatorëve të HoReCa-s t’u ofrojnë klientëve mundësinë e zgjedhjes së produkteve të ambalazhuara në enë të ripërdorshme, përmes një sistemi të dedikuar ripërdorimi.

 

Edhe në këtë rast, shitësit do të duhet të afishojnë njoftime të qarta për të informuar konsumatorët mbi disponueshmërinë e këtij opsioni. Për më tepër, programi përcakton që të paktën 10% e produkteve të shiten në formate ambalazhi të ripërdorshme, ndërsa çmimi dhe kushtet e shitjes të jenë të njëjta me ato të ambalazheve njëpërdorimshe.

 

Plani i qeverisë parashikon që aktet nënligjore që do të detajojnë këto masa të miratohen gradualisht përgjatë disa viteve, ndërsa dy masat që lidhen me enët e ripërdorshme për ushqimet dhe pijet “take-away” pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat